Zëvendësndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Lawton, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, po punojnë për të goditur organizatat kriminale transnacionale dhe për të zgjeruar praninë e kompanive amerikane në tregun shqiptar.
Lawton i bëri komentet gjatë dëshmisë së tij para Nënkomitetit për Evropën të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ku prezantoi qasjen e administratës së presidentit Donald Trump ndaj Ballkanit Perëndimor.
“Ne po punojmë ngushtë me aleatin tonë të NATO-s, Shqipërinë, për të goditur organizatat kriminale transnacionale dhe për të zgjeruar qasjen e kompanive amerikane në treg. Një hua e finalizuar së fundmi në kuadër të Financimit të Huaj Ushtarak do ta ndihmojë Shqipërinë të përmbushë angazhimet e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes dhe të rrisë blerjen e pajisjeve të prodhuara në SHBA”, tha Lawton.
Në fjalimin e tij, diplomati amerikan theksoi se politika e jashtme e Uashingtonit ndaj Ballkanit Perëndimor po pëson një ndryshim të rëndësishëm, me fokus te zgjidhjet pragmatike, forcimi i sigurisë dhe lufta kundër rrjeteve transnacionale të krimit të organizuar.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara synojnë një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm, paqësor dhe të begatë, i cili kontribuon në sigurinë rajonale dhe globale.
“Shtetet e Bashkuara synojnë një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm, paqësor dhe të begatë, që kontribuon në sigurinë rajonale dhe globale. Ne po zhvillojmë marrëdhënie pozitive me aktorët kryesorë në rajon për të ruajtur stabilitetin, për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe për t’iu kundërvënë kërcënimeve që prekin drejtpërdrejt Shtetet e Bashkuara”, theksoi zyrtari amerikan.
Lawton theksoi gjithashtu përkushtimin e SHBA-së ndaj sovranitetit të Bosnje-Hercegovinës dhe pavarësisë së Kosovës, ndërsa shprehu shqetësim për vonesat në krijimin e institucioneve të reja në Prishtinë.
Ai u bëri thirrje gjithashtu Kosovës dhe Serbisë që të shmangin provokimet dhe të rikthehen në dialogun e drejtpërdrejtë.
Sipas Lawton, strategjia e re amerikane për Ballkanin Perëndimor mbështetet në tri shtylla kryesore: ruajtjen e stabilitetit, avancimin e interesave ekonomike të bizneseve amerikane dhe luftën kundër kërcënimeve të sigurisë, përfshirë krimin e organizuar transnacional.

