Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në Zyrën e Kryeministrit përfaqësues politikë dhe institucionalë të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Në fokus të takimit ishin të drejtat e shqiptarëve në Luginë dhe forcimi i përfaqësimit të tyre, veçanërisht në Kuvendin e Serbisë.
Në ditën e dytë të punës si kryeministër i rizgjedhur, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me përfaqësues të subjekteve politike dhe institucioneve shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
Në takim morën pjesë Shaip Kamberi nga PVD-ja, Visar Memeti nga APN-ja, Shqiprim Musliu nga LPD-ja, Sami Salihu nga LR-ja, Armend Aliu nga AL-ja, Sali Salihu nga PD-ja, Agim Sabedini nga PDSH-ja dhe Naser Aziri nga UDSH-ja.
Të pranishëm ishin gjithashtu kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, si dhe Arben Ferati nga Medvegja.
Kurti tha se takimi ishte mundësi për të dëgjuar qëndrimet e përfaqësuesve shqiptarë dhe për të diskutuar sfidat me të cilat përballen shqiptarët në Luginë.
Sipas tij, një nga çështjet kryesore është bashkërendimi politik për mbrojtjen e të drejtave dhe forcimin e përfaqësimit të shqiptarëve, veçanërisht atij parlamentar.
“Shqiptarët e Luginës kanë nevojë për bashkëpunim e përgjegjësi të përbashkët. Dallimet partiake janë pjesë e demokracisë, por interesi i qytetarëve duhet të jetë pikëtakimi i angazhimit të të gjithëve”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri tha se mbështetja për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës mbetet një zotim i Qeverisë së Kosovës.
“Do të jemi pranë tyre në mbrojtjen e të drejtave, ruajtjen e identitetit dhe përmirësimin e jetës së përditshme”, u shpreh Kurti.

