KEDS ka njoftuar se të enjten, më 17 shtator, do të ketë ndërprerje të planifikuara të energjisë elektrike në disa zona të Kosovës, për shkak të punimeve të mirëmbajtjes, projekteve investive dhe ndërhyrjeve për sigurinë e sistemit.
Në Prishtinë, ndërprerjet do të prekin zona të Llapushnikut, Arbërisë dhe Xhamisë së Llapit, ndërsa në disa pjesë të qytetit do të ketë punime për vendosjen dhe aktivizimin e kabllove të reja. Në rrugën “Arhitekt Karl Gega” do të ketë gjithashtu ndërprerje për shkak të punimeve të palës së tretë.
Në Pejë, ndërprerja e energjisë nga ora 10:00 deri në 15:30 do të prekë disa zona të Gorazhdevcit, Poqestës, Dobërdolit, Millovancit, Vragocit, Babiqit dhe Belincës, për shkak të mirëmbajtjes preventive dhe ndërhyrjeve të nevojshme në rrjet.
Në Prizren dhe Suharekë, punimet do të zhvillohen në disa dalje elektrike gjatë intervaleve të ndryshme kohore. Ndërprerjet do të prekin ndër të tjera Shirokën, Zonën Industriale, Serbicën, Trepeticën, Shpendinë, Velezhën, Caparcin, Leshanin, Gjinocin, Gelancën dhe Greikocin.
Në Ferizaj dhe Lipjan, ndërprerjet do të prekin disa zona dhe fshatra, përfshirë Banullën, Gadimen, Gllogcin, Gumnasellën, Llugaxhin, Pojatën dhe Rubofcin, ndërsa në Shtime do të ketë ndërprerje të përkohshme për kontrollimin e tokëzimit.
Në Gjakovë, punimet investive do të shkaktojnë ndërprerje në disa zona dhe fshatra, përfshirë Bellacërkun, Sapniqin, Lugbunarin, Cërmjanin, Becin, Janoshin, Novosellën, Osek Pashën, Palabardhën dhe Trakaniqin.
Ndërkohë, në Gjilan dhe Kamenicë, ndërprerjet do të prekin disa fshatra dhe vendbanime, përfshirë Kopërnicën, Kolloleqin, Shipashnicën, Kranidellin, Kostadincën dhe Dazhnicën. Në disa zona punimet lidhen me mirëmbajtjen preventive, pastrimin e trasesë dhe montimin e shtyllave të reja.
KEDS ka bërë të ditur se oraret dhe zonat e ndërprerjeve lidhen me natyrën e punimeve, ndaj konsumatorët në këto vende duhet të kenë parasysh intervalet e planifikuara të punimeve gjatë ditës.

