Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar në New York një takim me kongresistin amerikan Joe Wilson, bashkëkryesues i Komisionit të Helsinkit të SHBA-së dhe anëtar i Komisioneve për Punë të Jashtme dhe Forcat e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.
Kurti ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për thellimin e marrëdhënieve Kosovë–SHBA, me fokus në sigurinë dhe mbrojtjen, investimet, sundimin e ligjit dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Sipas Kurtit, një prej temave ishte edhe synimi i Kosovës për anëtarësim në NATO, si dhe vazhdimi i bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e sigurisë.
Ai veçoi partneritetin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me Gardën Kombëtare të Iowa-s, i cili daton që nga viti 2011.
“Nga konsumuese, Kosova është shndërruar në kontribuuese në sigurinë ndërkombëtare”, ka deklaruar Kurti.
Në takim është diskutuar edhe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, ruajtjen e orientimit euroatlantik të rajonit dhe pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Kurti tha se me Wilson ka biseduar edhe për aspiratën e Kosovës për të avancuar drejt pjesëmarrjes së plotë në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Wilson është gjithashtu anëtar i delegacionit amerikan në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.
Në fokus edhe shqiptarët e Luginës
Një pjesë e veçantë e takimit iu kushtua gjendjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Kurti tha se ka ngritur me kongresistin amerikan çështjet që, sipas tij, lidhen me nënpërfaqësimin e shqiptarëve në institucionet publike, polici, gjyqësor dhe shëndetësi, si dhe pasivizimin e adresave.
Ai përmendi gjithashtu pengesat në arsimin në gjuhën shqipe dhe mosnjohjen e diplomave të fituara në Kosovë.
Në takim, sipas Kurtit, ishin të pranishëm edhe deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi, dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Kurti tha se ka kërkuar që të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të trajtohen edhe në Komisionin e Helsinkit dhe që çështjet e tyre të ngrihen në komunikimet me Beogradin.
Takimi vjen në një periudhë kur Joe Wilson ka shprehur publikisht qëndrime kritike ndaj politikave të Beogradit dhe lidhjeve të Serbisë me Rusinë. Në shtator, ai e ka akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq për lejimin e aktiviteteve të lidhura me rekrutimin dhe trajnimin e sabotatorëve rusë, pretendime që Wilson i ka bërë publikisht në rrjetin X.
Në fund të takimit, Kurti e ka falënderuar Wilsonin për mbështetjen ndaj Kosovës dhe për angazhimin në çështjet e sigurisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në rajon.
Ai gjithashtu e ka ftuar kongresistin amerikan që ta vizitojë sërish Kosovën, së bashku me një delegacion të Kongresit të SHBA-së.
