Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, zhvilloi të mërkurën një takim me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, në kuadër të vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor dhe procesit të integrimit evropian.
Në fokus të takimit ishte ecuria e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe hapat e mëtejshëm që kërkohen për avancimin e reformave.
Von der Leyen vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria, duke theksuar se vendi ka avancuar në përmbushjen e detyrimeve të procesit të negociatave. Shqipëria ka mbyllur provizorisht tre kapitujt e parë të negociatave me BE-në: Shkencën dhe Kërkimin, Arsimin dhe Kulturën dhe Marrëdhëniet me Jashtë. Këto u mbyllën në korrik 2026.
“Shqipëria është ndër vendet kryesore në proces. Vij çdo vit për të matur ecurinë dhe që nga vjet Shqipëria ka bërë ecuri të mrekullueshme”, tha Von der Leyen, sipas deklaratës së përcjellë nga pala shqiptare.
Ajo nënvizoi se përparimi nuk matet vetëm me miratimin e ligjeve dhe reformave, por edhe me zbatimin e tyre në praktikë.
“Miratimi i tyre është i rëndësishëm, por e rëndësishme është gjithashtu që të zbatohen. Kjo kërkon dialog të fortë me shoqërinë dhe angazhim të të gjitha palëve”, u shpreh presidentja e Komisionit Evropian.
Një prej elementeve që Von der Leyen veçoi ishte edhe përfshirja e grupeve të interesit dhe shoqërisë në procesin e konsultimit përpara miratimit të ligjeve dhe reformave, duke e lidhur këtë me cilësinë dhe zbatueshmërinë e tyre.
Presidentja e Komisionit Evropian theksoi gjithashtu rëndësinë e përafrimit të Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Kapitulli për marrëdhëniet me jashtë, i cili është mbyllur provizorisht, lidhet pikërisht me këtë fushë.
“E shohim botën me të njëjtin sy”, citohet të ketë deklaruar Von der Leyen, duke iu referuar përafrimit të Shqipërisë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.
Vizita e saj në Tiranë është pjesë e një turi të nivelit të lartë në Ballkanin Perëndimor. Komisioni Evropian ka bërë të ditur se Von der Leyen po viziton Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, me fokus te hapat e ardhshëm të integrimit evropian dhe zbatimi i reformave, i mbështetur edhe nga Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor.
Në takimin me Ramën, Von der Leyen përcolli edhe mesazhin se anëtarësimi eventual i Shqipërisë në BE do të kishte ndikim jo vetëm për vendin, por edhe për vetë Bashkimin Evropian.
“Anëtarësimi i Shqipërisë nuk do ta bëjë vetëm Shqipërinë më të fortë, por edhe BE-në më të fortë”, tha ajo.
Shqipëria ndërkohë ka hyrë në një fazë të re të negociatave, pas mbylljes provizore të tre kapitujve të parë dhe përmbushjes së disa prej kushteve të lidhura me sundimin e ligjit. Institucionet evropiane kanë kërkuar që ritmi i reformave të mbahet edhe në muajt në vijim.

