Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka uruar 27-vjetorin e themelimit të kësaj partie, duke rikujtuar kontributin e saj në historinë politike të Kosovës dhe duke theksuar angazhimin për të ardhmen e vendit.
Në një mesazh të publikuar në Facebook, Hamza tha se PDK-ja lindi në kohën e rezistencës, kur Kosovës i nevojiteshin guximi, vizioni dhe përkushtimi.
Ai e cilësoi partinë si një nga forcat politike me kontribut të rëndësishëm në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke përmendur edhe Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin.
Hamza theksoi se, pas 27 vjetësh, përgjegjësia e PDK-së është ruajtja e trashëgimisë politike dhe vazhdimi i angazhimit për zhvillim, më shumë mundësi dhe perspektivë për qytetarët.
“Jemi krenarë për të kaluarën. Qëndrojmë të bashkuar në të tashmen. Dhe punojmë me përgjegjësi për të ardhmen e brezave që vijnë”, shkroi Hamza.
Në fund të mesazhit, ai uroi anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e PDK-së për 27-vjetorin e themelimit të partisë.

