Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim përfaqësuesit e Listës “Koalicioni Shqiptar” nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të cilët e kanë uruar për zgjedhjen e saj në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.
Gjatë takimit, Shiroka Pula i ka përgëzuar për bashkimin në një listë të përbashkët zgjedhore, në të cilën janë bashkuar tetë subjekte politike shqiptare për të garuar së bashku në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të Serbisë, që do të mbahen më 25 tetor 2026.
Ajo u ka uruar sukses në zgjedhjet e së dielës, duke theksuar rëndësinë e bashkërendimit politik për të siguruar përfaqësim sa më të fuqishëm të shqiptarëve në institucionet e Serbisë.
Shiroka Pula: Shqiptarët duhet të kenë përfaqësim më të fuqishëm
Sipas presidentes së Kosovës, rritja e përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë do të mundësonte që shkeljet sistematike të të drejtave të tyre nga autoritetet serbe të denoncoheshin më fuqishëm.
Ajo ka theksuar gjithashtu rëndësinë që çështjet dhe kërkesat legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të marrin vëmendjen dhe përfaqësimin e duhur institucional.
Në fund të takimit, Shiroka Pula ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më masive të shqiptarëve në zgjedhjet e 25 tetorit, në mënyrë që “Koalicioni Shqiptar” të arrijë rezultat sa më të mirë dhe përfaqësimi i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë të jetë sa më i fuqishëm.

