Bedri Hamza ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Vendimin ua ka bërë të ditur sot anëtarëve të Kryesisë së partisë, duke hapur rrugën për një proces të ri zgjedhor brenda subjektit politik.
Hamza ka deklaruar se përmes këtij procesi, anëtarët e PDK-së do të vendosin për drejtimin e ardhshëm të partisë. Ai ka theksuar gjithashtu nevojën për përfshirje më të madhe të të rinjve dhe krijimin e mundësive që ata të marrin përgjegjësi në udhëheqjen e partisë.
Hamza: Përgjegjësitë i mora për PDK-në dhe Kosovën
Në deklarimin e tij, Hamza kujtoi përgjegjësitë që ka marrë që nga viti 2020, pas dërgimit në Hagë të ish-udhëheqësve të PDK-së.
Ai përmendi kandidimin për kryetar të Mitrovicës, tri kandidimet radhazi për kryeministër të Kosovës, si dhe udhëheqjen e partisë, duke theksuar se këto angazhime i kishte marrë nga përgjegjësia ndaj PDK-së dhe Kosovës, e jo për ambicie personale.
Sipas tij, gjatë udhëheqjes është përqendruar në ruajtjen e unitetit të partisë, forcimin e strukturave të saj dhe ruajtjen e besimit të anëtarëve dhe votuesve.
“Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit”
Hamza ka bërë të qartë se dorëheqja nga drejtimi i partisë nuk nënkupton largimin e tij nga PDK-ja.
“Nuk po largohem nga PDK-ja. Po largohem vetëm nga pozita e kryetarit, por jo edhe nga besimi në vlerat tona politike. Derisa të kem jetë, do të jem votues besnik i Partisë Demokratike të Kosovës dhe anëtar i kësaj familjeje të madhe politike”, është shprehur Hamza.
Ai ka theksuar se interesi i partisë dhe i vendit duhet të jetë gjithmonë mbi interesin personal.
Hamza për Hagën: Përpjekjet për drejtësi do të vazhdojnë
Në deklaratën e tij, Hamza është ndalur edhe te vendimi i Dhomave të Specializuara për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ai ka shprehur zhgënjimin e tij lidhur me atë që e cilësoi si padrejtësi në Hagë, duke theksuar se përpjekjet për drejtësi, zbardhjen e së vërtetës dhe kthimin e ish-udhëheqësve pranë familjeve të tyre dhe në Kosovë do të vazhdojnë.
Në fund, Hamza ka falënderuar anëtarët, strukturat dhe mbështetësit e PDK-së për besimin dhe përkrahjen e vazhdueshme gjatë udhëheqjes së tij.
“Unë nuk e dua PDK-në vetëm për ta udhëhequr. E kam dashur dhe do ta dua edhe pa e udhëhequr”, ka përfunduar Hamza.

