Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshëm paragrafin 3 të nenit 17 të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme për Procedurat e Kundërvajtjes, i cili kushtëzonte kthimin e patentë-shoferit të konfiskuar me përfundimin e masës mbrojtëse.
Sipas këtij rregullimi, qytetarët mund ta tërhiqnin patentë-shoferin vetëm pasi të përfundonte masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit, e cila mund të zgjaste tre, gjashtë apo 12 muaj.
Por, Gjykata Supreme ka konstatuar se një praktikë e tillë është në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, i cili përcakton se Policia mund ta mbajë përkohësisht patentë-shoferin për një periudhë jo më të gjatë se tetë ditë.
Vendimi është marrë pas padisë së 28 qytetarëve kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme, përkatësisht Policisë së Kosovës. Gjykata e ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë dhe e ka shfuqizuar dispozitën e kontestuar.
Supremja: Konfiskimi i përkohshëm dhe masa mbrojtëse janë dy çështje të ndryshme
Në arsyetimin e aktgjykimit, Gjykata Supreme ka theksuar se marrja e përkohshme e patentë-shoferit nga Policia dhe masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit janë dy institute të ndryshme juridike, me qëllime dhe kushte të veçanta zbatimi.
Duke interpretuar nenin 244, paragrafi 1, të Ligjit nr. 08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor, gjykata ka konstatuar se patenta mund të mbahet vetëm për aq kohë sa ekzistojnë arsyet ligjore për konfiskimin e saj, por në asnjë rast më gjatë se tetë ditë.
Ndërkaq, masa mbrojtëse e ndalimit të drejtimit të automjetit zbatohet sipas kohëzgjatjes së përcaktuar në vendimin për kundërvajtje.
Sipas Supremes, lidhja e kthimit të patentë-shoferit me përfundimin e masës mbrojtëse krijonte mundësinë që dokumenti të mbahej përtej afatit maksimal prej tetë ditësh.
“Një akt nënligjor nuk mund të zgjerojë kompetencat e përcaktuara me ligj dhe as të vendosë kufizime shtesë që nuk kanë bazë ligjore”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.
Të ligjshme mbeten dy paragrafët e tjerë të nenit 17
Gjykata Supreme nuk e ka shfuqizuar tërë nenin 17 të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2023.
Ajo ka vlerësuar se paragrafët 1 dhe 2 janë në përputhje me ligjin, pasi rregullojnë vetëm aspektet procedurale të administrimit të patentë-shoferit të konfiskuar përkohësisht.
Paragrafi 1 përcakton njësinë apo stacionin policor përgjegjës për mbajtjen e dokumentit, ndërsa paragrafi 2 obligon zyrtarin policor që qytetarit t’i lëshojë vërtetim për marrjen e patentë-shoferit.
Sipas gjykatës, këto dispozita nuk krijojnë kompetenca të reja për Policinë dhe as nuk ndryshojnë afatet e përcaktuara me ligj.
Në aktgjykim theksohet gjithashtu se çdo akt nënligjor duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Organet administrative nuk mund të vendosin kufizime të reja për qytetarët përmes udhëzimeve administrative, nëse ato nuk kanë bazë në ligj.
Policia kishte mbajtur patenta deri në 12 muaj
Dispozita e shfuqizuar ishte zbatuar në rastet kur patentë-shoferët e konfiskuar nuk u ktheheshin qytetarëve deri në përfundimin e masës mbrojtëse, e cila mund të zgjaste deri në një vit.
Me këtë vendim, Gjykata Supreme ka konstatuar se mbajtja e përkohshme e patentë-shoferit nga Policia nuk mund të kushtëzohet me kohëzgjatjen e masës mbrojtëse, por duhet t’i nënshtrohet afatit maksimal prej tetë ditësh të përcaktuar me ligj.

