Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit, lidhur me projektin “Arkitekti i Kryeqytetit”.
Rama dyshohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Pas intervistimit, ai ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me Prokurorinë dhe se i takon këtij institucioni të hetojë nëse gjatë realizimit të projektit ka pasur shkelje ligjore.
“Unë kam kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me Prokurorinë për këtë çështje, por edhe të tjera. Prandaj kam ardhë […] sepse kështu zhvillohet shteti demokratik. Puna ime është zhvillimi i kryeqytetit, puna e Prokurorisë është të dijë që çdo gjë po bëhet në bazë të legjislacionit”, ka deklaruar Rama pas intervistimit.
Tenderi prej 12 milionë eurosh nën dyshimet për shkelje
Projekti “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, në vlerë prej 12 milionë eurosh, ishte raportuar më herët nga KOHA për dyshime lidhur me shkeljen e Ligjit për Prokurimin Publik.
Në qershor të vitit 2024, KOHA raportoi se Komuna e Prishtinës kishte shkelur këtë ligj që në fillim të procesit të tenderimit, pasi konsorciumi fitues, i përbërë nga kompanitë “Anarch” dhe “Ardi Ç”, kishte paraqitur një dokument të sigurimit të tenderit në vlerë prej 12 mijë eurosh.
Sipas raportimit, kjo shumë ishte dhjetë herë më e ulët se vlera minimale e kërkuar me ligj.
Ndërkaq, në maj të vitit 2024, KOHA kishte raportuar se pronar i njërës prej kompanive të konsorciumit fitues ishte Astrit Nixha, i cili në të kaluarën kishte pasur raporte pune edhe me një biznes të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama.
Intervistimi i Ramës në cilësinë e të pandehurit nuk nënkupton se ai është shpallur fajtor. Hetimet dhe vlerësimi i përgjegjësisë penale i takojnë organeve të drejtësisë.

