Komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë (SACEUR), gjenerali Alexus G. Grynkewich, ka vizituar Kosovën, ku është pritur nga komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori.
Sipas njoftimit të KFOR-it, vizita riafirmon përkushtimin e vazhdueshëm të NATO-s për stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin më të gjerë.
Gjatë takimit është diskutuar edhe procesi i optimizimit të misionit të KFOR-it, i cili bazohet në vlerësimin e përbashkët të zhvillimeve pozitive në situatën e sigurisë.
KFOR ka bërë të ditur se çdo ndryshim në madhësinë dhe përbërjen e forcave do të zbatohet në mënyrë graduale dhe të kujdesshme, duke u mbështetur në vlerësimet e vazhdueshme të situatës në terren.
Sipas misionit të NATO-s, këto ndryshime do të mund të rikthehen nëse paraqiten zhvillime të rëndësishme të sigurisë që mund të ndikojnë në situatën lokale apo stabilitetin rajonal.
Takime me institucionet e Kosovës dhe Listën Serbe
Gjatë vizitës, Grynkewich dhe Vergori janë takuar me përfaqësues të institucioneve të Kosovës, si dhe me përfaqësues të Listës Serbe.
Sipas KFOR-it, në këto takime është përcjellë mesazhi se siguria e qëndrueshme varet përfundimisht nga zgjidhja politike, dialogu gjithëpërfshirës dhe bashkëpunimi.
Vizita përfundoi në Manastirin e Graçanicës, ku zyrtarët e NATO-s zhvilluan takim me përfaqësues fetarë.
KFOR ka ritheksuar se do të vazhdojë të kontribuojë në krijimin e një mjedisi të sigurt dhe të qetë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë banorët e Kosovës, në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me mandatin e tij afatgjatë të Kombeve të Bashkuara.

