Qindra mijëra qytetarë kanë dalë të premten në protesta në më shumë se 50 qytete të Italisë, në kuadër të një greve kombëtare kundër politikave të qeverisë së kryeministres Giorgia Meloni.
Protestat u organizuan nga sindikata antikapitaliste Unione Sindacale di Base (USB), ndërsa pakënaqësia e qytetarëve lidhet me rritjen e kostos së jetesës, pagat e ulëta, gjendjen në shëndetësi dhe arsim, si dhe shpenzimet ushtarake.
Demonstrata u zhvilluan në qytetet kryesore, përfshirë Milano, Romë dhe Torino, ku punonjës të sektorit publik e privat, studentë dhe fermerë shprehën kundërshtimin ndaj politikave të qeverisë.
Incidente në Torino dhe Napoli
Në Torino, fermerët hodhën pleh në rrugë në shenjë proteste, ndërsa në Napoli disa demonstrues dogjën fotografi të kryeministres Meloni.
Në Milano, protestuesit marshuan me pankarta kundër qeverisë, ndërsa në disa qytete u dëgjuan edhe thirrje kundër luftës dhe rritjes së shpenzimeve ushtarake.
Në protesta u panë flamuj palestinezë dhe pankarta kundër militarizimit. Në Gjenova, punonjësit e portit kundërshtuan militarizimin e tij dhe kërkuan ndalimin e eksportit të armëve italiane drejt zonave të konfliktit, përfshirë Izraelin. Ndërsa në Bolonja, studentët kërkuan rishikimin e politikave arsimore.
Transporti nuk iu bashkua grevës, pati përplasje të izoluara
Greva nuk u mbështet nga të gjithë sektorët. Punonjësit e transportit hoqën dorë nga pjesëmarrja pas paralajmërimeve për sanksione nga ministri i Transporteve, Matteo Salvini. Paralajmërime të ngjashme iu drejtuan edhe taksistëve, ndërsa sindikata USB u bëri thirrje atyre të vazhdonin grevën.
Para nisjes së protestave, Ministria e Brendshme italiane njoftoi për arrestime parandaluese me qëllim të shmangies së incidenteve të dhunshme.
Gjatë demonstratave pati disa përplasje të izoluara, por shumica e tubimeve u zhvilluan në mënyrë paqësore. Në Romë, disa të rinj tentuan t’i vinin flakën një koshi mbeturinash, por protestues të tjerë ndërhynë dhe e shuan zjarrin.
Kërkesat e protestuesve ndryshuan nga një qytet në tjetrin, por në qendër të mobilizimit ishte kundërshtimi ndaj politikave ekonomike dhe sociale të qeverisë Meloni, si dhe ndaj rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen dhe ushtrinë.

