Grupi punues për hartimin e strategjisë gjithëpërfshirëse në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë, do të mblidhet sërish të shtunën. Në këtë takim pritet të shqyrtohen dhe të sintetizohen dokumentet e siguruara nga institucione dhe instanca të ndryshme.
Lajmin e ka bërë të ditur kryesuesi i grupit, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i cili ka theksuar se synimi është krijimi i një baze të përbashkët dokumentare dhe institucionale për hartimin e strategjisë.
Konjufca ka sqaruar se procesi i punës do të jetë konfidencial dhe se diskutimet nuk do të zhvillohen në mënyrë të hapur për publikun.
Megjithatë, ai ka paralajmëruar se do të ketë komunikim me mediat, por informacionet për përmbajtjen e diskutimeve dhe produktin përfundimtar do të bëhen publike vetëm në një masë të kufizuar.
Strategjia synon të kontribuojë në procesin e apelit
Sipas Konjufcës, qëllimi i kësaj strategjie është të kontribuojë në suksesin e ish-krerëve të UÇK-së gjatë procesit të apelit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Ai ka bërë të ditur se në mbledhjen e kaluar është konstituuar grupi strategjik dhe janë përcaktuar rregullat e funksionimit të tij.
Gjithashtu, është formuar një grup punues me detyrën që të përmbledhë në një dokument të vetëm idetë dhe propozimet e paraqitura gjatë këtij procesi.
Cassis: Zvicra mbështet Gjykatën Speciale
Deklaratat e Konjufcës u bënë gjatë konferencës për media pas takimit me homologun e tij zviceran, Ignazio Cassis.
I pyetur për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, kryediplomati zviceran u tregua i rezervuar për të komentuar rastin konkret, duke theksuar se Zvicra mbështet Gjykatën Speciale.
Ndërkohë, mbledhja e së shtunës pritet të shërbejë për avancimin e punës në dokumentin strategjik, i cili synon të koordinojë përpjekjet dhe propozimet në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në fazën e apelit.

