Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në NATO ka uruar Shqipërinë me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, duke vlerësuar partneritetin strategjik dhe angazhimin e vendit në forcimin e sigurisë kolektive.
Përmes një publikimi në rrjetin social “X”, misioni amerikan ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Në mesazhin e urimit është vlerësuar veçanërisht angazhimi i Shqipërisë për rritjen e shpenzimeve në sektorin e mbrojtjes, si kontribut në forcimin e sigurisë kolektive të aleancës.
“Aleanca jonë në NATO është themeli i mbrojtjes sonë të ndërsjellë. Ne mirëpresim angazhimin e Shqipërisë për të rritur shpenzimet e mbrojtjes për të forcuar sigurinë kolektive”, thuhet në mesazh.
Misioni amerikan ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh në përballjen me sfidat bashkëkohore të sigurisë, përfshirë kërcënimet kibernetike, krimin transnacional dhe kartelet kriminale.
“Së bashku, po përballemi me kërcënimet kibernetike, krimin transnacional dhe kartelet për t’i mbajtur të dy kombet tona të sigurta”, thuhet në urim.
Shqipëria, anëtare e NATO-s që nga 1 prilli 2009, shënon sot 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, ndërsa mesazhi i misionit amerikan rithekson rëndësinë e partneritetit ndërmjet dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

