Pas takimit me Kurtin, Abdixhiku doli i vetëm në konferencë për media, ndonëse në takim kishte marrë pjesë së bashku me presidenten Vjosa Osmani.
Ai bëri të ditur se takimi ishte i pari pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe se fokusi i diskutimeve ishte gjetja e një zgjidhjeje për tejkalimin e ngërçit institucional.
“Ishte takimi i parë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Folëm për shmangien e zgjedhjeve të ardhshme, të katërtave me radhë brenda më pak se një viti e gjysmë. U pajtuam që të vazhdojmë komunikimin si mundësia e vetme për shmangien e zgjedhjeve”, deklaroi Abdixhiku.
Sipas tij, në takim janë diskutuar edhe parimet mbi të cilat duhet të ndërtohet një marrëveshje politike për krijimin e institucioneve të reja.
“Ne diskutuam për parimet rreth të cilave duhet të dakordohemi. LDK-ja jo vetëm që kërkon stabilitet institucional, por kërkon edhe balancë demokratike për t’i ofruar vendit institucione të qëndrueshme”, tha ai.
Abdixhiku shtoi se diskutimet do të vazhdojnë edhe në takimet e ardhshme, pasi sipas tij një takim i vetëm nuk ishte i mjaftueshëm për të trajtuar të gjitha çështjet.
“Po bëj përpjekje t’i definojmë parimet. Në një takim të vetëm ishte e pamjaftueshme t’i trajtonim të gjitha çështjet”, u shpreh kryetari i LDK-së.
Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut vjen në një periudhë të ngërçit politik për konstituimin e institucioneve të reja, ndërsa partitë parlamentare po zhvillojnë konsultime në përpjekje për të arritur një zgjidhje që do të shmangte mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

