Një tjetër aferë financiare po trondit Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS), ku dyshohet se zyrtarë të lartë kanë përdorur fondet e institucionit për përfitime personale. Rasti më i fundit përfshin Drejtorin e Departamentit të Dëmeve, Valmir Rexha, i cili sipas dokumenteve të publikuara, ka mbajtur 5 mijë euro të BKS-së në llogarinë e tij private për plot 367 ditë.
Sipas dokumentacionit bankar, më 17 qershor 2022, nga llogaria e BKS-së është transferuar shuma prej 5,000 euro në llogarinë personale të Rexhës. Këto mjete nuk figurojnë si dëmshpërblim apo pagesë zyrtare institucionale. Shuma është kthyer vetëm më 19 qershor 2023, me përshkrimin “kthim avansi”.
Megjithatë, alarmi është ngritur pasi Auditori i Brendshëm ka konstatuar se nuk ekziston asnjë dokumentacion që justifikon këtë transfer apo ndonjë aprovim zyrtar për kalimin e mjeteve në llogari private.
Në një shkresë zyrtare të muajit shkurt 2026, menaxhmenti i BKS-së i kishte kërkuar Rexhës sqarime me shkrim për arsyen e marrjes së këtyre mjeteve, por sipas raportimeve, ai nuk ka kthyer asnjë përgjigje brenda afatit të caktuar.
Ky rast shton dyshimet për një skemë më të gjerë abuzimi financiar brenda BKS-së. Prokuroria Themelore në Prizren tashmë po heton edhe raste të tjera të pagesave të dyshimta, përfshirë një skemë dëmesh të fryra me vlerë mbi 1.3 milionë euro.
Ndërkohë, emri i Rexhës raportohet se tashmë figuron në listën e zyrtarëve nën shqyrtim, krahas disa figurave të tjera të menaxhmentit të lartë të institucionit.
Rasti pritet të ngrejë pyetje serioze për kontrollin e brendshëm, llogaridhënien dhe mënyrën e menaxhimit të fondeve në një institucion që ka rol kyç në kompensimin e qytetarëve.Burimi: https://insajderi.org/

