Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Agron Limanin në pozitën e Kryesuesit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Limani është i angazhuar prej më shumë se dy dekadash në kërkimin e së vërtetës dhe drejtësisë për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.
Ai është bashkautor i monografisë “Fshati i Vrarë”, që trajton masakrën e Krushës së Vogël, një vepër që, sipas Qeverisë, është përdorur si dëshmi në procesin gjyqësor ku u dënua Darko Tasiç.
Histori personale e lidhur me luftën
Gjatë luftës së fundit në Kosovë, Agron Limani ishte ushtar i UÇK-së. Familja e tij është prekur rëndë nga krimet e luftës: vëllai i tij u vra, ndërsa babai, axha dhe djali i axhës së tij vazhdojnë të figurojnë në mesin e personave të zhdukur.
Ata janë pjesë e 60 personave që ende rezultojnë të pagjetur nga masakra e kryer nga forcat serbe në Krushë të Vogël.
Misionin e tij për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur Limani e nisi si drejtues i Shoqatës për Hulumtimin e Personave të Rrëmbyer “26 Marsi 1999”.
Thirrje për hapjen e arkivave serbe
Në njoftimin e saj, Qeveria e Kosovës rithekson përkushtimin për zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, duke theksuar se, pavarësisht pengesave dhe mungesës së bashkëpunimit nga Serbia, institucionet do të vazhdojnë përpjekjet për të vënë drejtësinë në vend.
Qeveria vlerësoi gjithashtu se gërmimet e fundit në Kalludër të Zubin Potokut janë rezultat i punës së institucioneve të Kosovës.
Njëkohësisht, u përsërit kërkesa ndaj bashkësisë ndërkombëtare për të rritur presionin ndaj Serbisë për zbatimin e Deklaratës së 2 majit 2023 për Personat e Zhdukur, me theks të veçantë në hapjen e arkivave ushtarake dhe shtetërore serbe.
Në veçanti, Qeveria kërkon që Serbia të ndryshojë vendimin për klasifikimin 30-vjeçar të dokumenteve dhe të hapë arkivat e Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, të cilat konsiderohen me rëndësi për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

