Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) ka njoftuar se komunat do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores së Qeverisë Nr. 07/2025 për Procedurën e Pranimit në Shërbimin Civil.
Sipas AKK-së, vendimi është marrë nga Këshilli i Kryetarëve në mbledhjen e mbajtur më 14 maj 2026, me arsyetimin se rregullorja cenon kompetencat e pushtetit lokal.
Në reagimin zyrtar, AKK thekson se komunat nuk do të lejojnë cenimin e vetëqeverisjes lokale, duke kujtuar se kjo e drejtë është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës, ligjet në fuqi dhe Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale.
Sipas Asociacionit, pushteti qendror mund të ushtrojë vetëm kontroll të ligjshmërisë ndaj akteve komunale, por jo të ndërhyjë në kompetencat autonome të komunave.
AKK vlerëson se Rregullorja Nr. 07/2025 përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në autonominë lokale, pasi sipas tyre centralizon procedurat e rekrutimit të stafit komunal dhe kufizon pavarësinë funksionale të pushtetit lokal.
“Çdo veprim që tejkalon këtë kufi përbën cenim të rendit kushtetues dhe të autonomisë lokale”, thuhet në reagim.
Asociacioni argumenton se kjo qasje bie ndesh me parimin e subsidiaritetit dhe standardet evropiane të vetëqeverisjes lokale, ndaj përmes komunave do ta dërgojë çështjen në Kushtetuese për interpretim përfundimtar.

