Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka konfirmuar se Bashkimi Evropian do të ecë përpara me zbatimin e marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara për uljen e tarifave doganore, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e tregtisë transatlantike.
Përmes një reagimi në platformën X, von der Leyen përshëndeti dakordimin e arritur mes institucioneve evropiane për reduktimin e tarifave mbi eksportet industriale amerikane drejt tregut evropian.
“E mirëpres marrëveshjen e arritur nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli për uljen e tarifave doganore mbi eksportet industriale të SHBA-së në BE. Kjo do të thotë se së shpejti do ta përmbushim pjesën tonë të Deklaratës së Përbashkët BE-SHBA, siç është premtuar”, shkroi ajo.
Shefja e ekzekutivit evropian u bëri thirrje gjithashtu bashkëligjvënësve që të përshpejtojnë procedurat për finalizimin e procesit.
“Së bashku mund të sigurojmë tregti transatlantike të qëndrueshme, të parashikueshme, të balancuar dhe reciprokisht të dobishme”, theksoi von der Leyen.
Sipas saj, marrëveshja është pjesë e një strategjie më të gjerë për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy ekonomive më të mëdha në botë, në një kohë kur marrëdhëniet tregtare globale po përballen me tensione dhe pasiguri.

