Presidenti rus Vladimir Putin është pritur në Pekin nga homologu kinez Xi Jinping, në një vizitë që sinjalizon forcimin e mëtejshëm të boshtit Moskë-Pekin, vetëm pak ditë pas vizitës së presidentit amerikan Donald Trump në Kinë.
Xi Jinping e priti Putinin me ceremoni shtetërore në Sallën e Madhe të Popullit, ndërsa më pas delegacionet e të dy vendeve zhvilluan takime dypalëshe dhe nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi.
Gjatë takimit, Putin deklaroi se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Kinës kanë arritur një nivel të paparë, duke e cilësuar partneritetin mes dy fuqive si kyç për ekuilibrin global.
Nga ana tjetër, Xi Jinping e quajti Putinin një “mik të vjetër”, duke theksuar se lidhjet mes Pekinit dhe Moskës mbeten “të palëkundura”.
Në fokus të bisedimeve ishin çështjet e energjisë, sigurisë dhe bashkëpunimit strategjik, ndërsa mediat shtetërore kineze raportojnë se palët kanë rënë dakord edhe për zgjerimin e traktatit të miqësisë të nënshkruar fillimisht në vitin 2001.
Putin ka ftuar gjithashtu Xi Jinping për një vizitë në Rusi vitin e ardhshëm, duke deklaruar se partneriteti mes dy vendeve po kontribuon në stabilitetin ndërkombëtar.
Vizita vjen në një moment tensioni të lartë global, me Rusinë që mbetet nën presionin e Perëndimit, ndërsa Kina shihet si partneri më i rëndësishëm strategjik dhe ekonomik i Kremlinit.

