Një aksident zingjiror mes katër automjeteve ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, në dalje të Badovcit, afër fshatit Slivovë, përgjatë rrugës Prishtinë–Gjilan.
Rastin e ka konfirmuar për Reporteri.net zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili ka bërë të ditur se në aksident janë përfshirë katër automjete në lëvizje.
“Në orët e hershme të mëngjesit të 29 tetorit 2025, Policia e Kosovës është informuar për një aksident zingjiror me katër automjete në rrugën Gjilan–Prishtinë, në fshatin Parallovë. Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendngjarje dhe nga hetimet e para rezulton se, përveç dëmeve materiale, nuk ka persona të lënduar,” ka deklaruar Hashani.
Sipas Policisë, rrethanat e aksidentit janë ende nën hetim nga njësia e trafikut rajonal, ndërsa u bëhet thirrje drejtuesve të automjeteve të kenë kujdes të shtuar në këtë segment rrugor, i cili aktualisht është në punime dhe ka qarkullim të ngarkuar.

