Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë ndaj dy mjekëve të një spitali në Vushtrri dhe nëntë personave të tjerë, nën dyshimin për veprat penale “Marrja e ryshfetit” dhe “Dhënia e ryshfetit”.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ndaj dy të pandehurve, V.R. dhe E.S., për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.
Ndërkaq, ndaj nëntë të pandehurve të tjerë – F.V., B.Q., F.Xh., B.G., B.A., K.H., S.N., V.Y. dhe L.K. – është ngritur aktakuzë për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.
Dy mjekët dyshohet se kanë kërkuar dhe pranuar para
Sipas aktakuzës, mjeku V.R., në gjashtë raste, ndërsa mjeku E.S., në tri raste, në cilësinë e personave zyrtarë dhe mjekëve në spitalin e Vushtrrisë, dyshohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar shuma të ndryshme parash.
Sipas Prokurorisë, paratë dyshohet se janë kërkuar dhe pranuar në këmbim të veprimeve që lidhen me detyrën e tyre zyrtare dhe ofrimin e shërbimeve të trajtimit mjekësor për pacientët.
Nëntë persona akuzohen për dhënie ryshfeti
Nëntë të pandehurit e tjerë akuzohen se, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, për vete ose për persona të tjerë, u kanë premtuar, ofruar apo dhënë mjekëve shuma të ndryshme parash.
Sipas aktakuzës, shumat varionin nga 50 deri në 300 euro dhe dyshohet se janë dhënë si shpërblim për operimin e familjarëve të tyre.
Prokuroria kërkon dënimin sipas ligjit
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe t’i dënojë në përputhje me ligjin.
Të gjithë të pandehurit gëzojnë prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

