Me nisjen e vitit të ri shkollor, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar kontrollet në subjektet afariste pranë institucioneve arsimore, me fokus parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te të miturit.
Sipas Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT), gjatë ditës së sotme ekipet e IQMT-së kanë realizuar gjithsej 18 inspektime në disa rajone të Kosovës, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Fushë Kosovën, Rahovecin, Istogun, Shtimen dhe Podujevën.
Gjatë kontrolleve, inspektorët kanë urdhëruar largimin e menjëhershëm nga shitja të cigareve elektronike në dyqanet që ndodhen pranë shkollave.
Për mosrespektim të dispozitave ligjore dhe urdhrave të inspektorëve, janë shqiptuar 3 gjoba, ndërsa në kuadër të aksionit janë realizuar edhe 2 sekuestrime.
IQMT ka bërë të ditur se aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në të gjitha rajonet e Kosovës, me qëllim të kontrollit të respektimit të dispozitave ligjore dhe mbrojtjes së të miturve.
MINT u ka bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht prindërve, që të raportojnë çdo rast të shitjes së cigareve elektronike te të miturit, veçanërisht në afërsi të institucioneve arsimore.
Ankesat dhe raportimet mund të paraqiten në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, përmes platformës Viber, në numrin +383 46 311 000.

