Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për vepra penale që lidhen me narkotikë dhe armë.
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve me inicialet I.A., F.T. dhe M.A., nën dyshimin se kanë kryer veprat penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, si dhe mbajtjes në pronësi, kontrollit ose posedimit të paautorizuar të armëve.
Sipas aktakuzës, i pandehuri I.A. dyshohet se, nga janari i vitit 2025 deri më 6 nëntor 2025, në fshatin Isniq të Komunës së Deçanit, ka shpërndarë dhe shitur pa autorizim narkotikë të llojit marihuanë.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij, sipas Prokurorisë, janë gjetur dhe sekuestruar 131.47 gramë marihuanë.
Po ashtu, I.A. dyshohet se ka poseduar në mënyrë të paautorizuar armë dhe municion. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike, municion dhe dy granata dore.
I dyshuari tjetër, 2.93 gramë marihuanë
Ndërkaq, i pandehuri F.T. dyshohet se, nga qershori i vitit 2025 deri më 6 nëntor 2025, në fshatin Drenoc të Komunës së Deçanit, ka shpërndarë dhe shitur pa autorizim marihuanë.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar 2.93 gramë marihuanë, si dhe mjete të tjera që, sipas aktakuzës, dyshohet se janë përdorur për përgatitjen dhe paketimin e narkotikëve.
I treti dyshohet për posedim të drogës për përdorim personal
I pandehuri M.A. dyshohet se më 6 nëntor 2025, në fshatin Drenoc, ka poseduar pa autorizim narkotikë të llojit marihuanë.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij është gjetur dhe sekuestruar 0.46 gramë marihuanë, e cila, sipas aktakuzës, dyshohet se ishte për përdorim personal.
Prokuroria thekson se, me këto veprime, të pandehurit dyshohet se kanë përmbushur elementet e veprave penale për të cilat ngarkohen.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale për të cilat ngarkohen.
Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

