Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të enjten në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, një ditë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti e ka vlerësuar aktgjykimin si “të padrejtë” dhe “të rëndë”, duke theksuar se, sipas tij, ai duhet të ndryshohet në mënyrë pozitive në shkallën e apelit.
Gjatë takimit, Kurti dhe Hamza kanë diskutuar për aktgjykimin e shpallur një ditë më parë, si dhe për rrugët dhe mënyrat që mund të ndiqen për të kundërshtuar dhe korrigjuar vendimin përmes procedurave të mëtejshme ligjore.
Në takim është diskutuar edhe për situatën e krijuar pas aktgjykimit, ndërsa Kurti dhe Hamza janë zotuar për komunikim të rregullt dhe të drejtpërdrejtë lidhur me çështjet me interes publik, shtetëror dhe kombëtar.
Në njoftimin e Qeverisë, Kurti ka përsëritur qëndrimin e tij se rezistenca e popullit të Kosovës dhe lufta çlirimtare kanë qenë të domosdoshme në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë.
Ai e ka përshkruar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si përgjigje organizative ndaj regjimit të Slobodan Millosheviqit, duke iu referuar represionit, shkeljeve të të drejtave të njeriut, spastrimit etnik dhe krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Takimi mes Kurtit dhe Hamzës vjen në një kohë kur aktgjykimi i shkallës së parë në Hagë ka rikthyer në qendër të debatit politik dhe publik në Kosovë çështjen e ish-krerëve të UÇK-së dhe procedurave të ardhshme të apelimit.

