Kreu i Trupit Gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, Charles L. Smith III, ka marrë vendim për nisjen e procedurës për reparacionet ndaj viktimave.
Sipas vendimit, Trupi Gjykues ka vendosur të zhvillojë procedurën për reparacionet dhe të nxjerrë një urdhër për reparacione, në përputhje me nenin 22(8) dhe rregullën 168, me kusht që Mbrojtja të mos paraqesë kundërshtim.
Mbrojtjes i është caktuar afati deri më 22 shtator 2026 për të paraqitur çdo kundërshtim lidhur me nisjen e kësaj procedure. Po në këtë datë, Mbrojtja duhet të informojë Trupin Gjykues, Përfaqësuesin e Viktimave dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nëse synon të paraqesë prova lidhur me reparacionet.
Përfaqësuesi i Viktimave dhe ZPS-ja duhet të paraqesin përgjigjet e tyre deri më 25 shtator 2026, ndërsa Përfaqësuesi i Viktimave duhet të informojë Trupin Gjykues për çdo ndryshim në mënyrën e paraqitjes së provave.
Nëse Përfaqësuesi i Viktimave dëshiron të paraqesë prova në përputhje me rregullën 168, ato duhet të dorëzohen deri më 7 tetor 2026.
Ndërkohë, kërkesa konkrete për reparacione nga Përfaqësuesi i Viktimave duhet të paraqitet deri më 14 tetor 2026. Pas kësaj, ZPS-ja dhe Mbrojtja do të kenë afat deri më 4 nëntor 2026 për t’iu përgjigjur kërkesës.
Vendimi i gjyqtarit Smith parashikon gjithashtu që Sekretaria të riklasifikojë si publike disa parashtresa të mëparshme të Përfaqësuesit të Viktimave dhe ZPS-së, ndërsa Mbrojtja duhet të dorëzojë versionet publike të redaktuara të parashtresave të saj ose të kërkojë riklasifikimin e tyre.
Nisja e kësaj procedure nuk përcakton në këtë fazë shumën e ndonjë kompensimi. Ajo hap procesin gjyqësor për përcaktimin e reparacioneve dhe përfshirjen e palëve në këtë procedurë, në përputhje me rregullat e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

