Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka bërë publike përgjigjen zyrtare që i është dërguar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duke konfirmuar se Aleanca nuk do të marrë pjesë në takimin e ftuar për konsultime lidhur me formimin e institucioneve të reja të Kosovës.
Në letrën me datë 9 korrik 2026, Gjini rikujton se më 26 qershor 2026 Aleanca kishte prezantuar publikisht ofertën e saj për mbështetjen e themelimit të institucioneve të reja.
Sipas tij, Aleanca është e gatshme, pa kushte apo kërkesa vetjake, të ndihmojë në sigurimin e kuorumit për zgjedhjen e Presidentit/es, nëse mandatari për formimin e Qeverisë pranon gjashtë pikat e ofertës së paraqitur nga kjo parti.
“Nisur nga qëndrimi ynë i qartë dhe parimor, nuk e shohim të nevojshëm takimin”, thuhet në përgjigjen zyrtare të nënshkruar nga Ardian Gjini.
Në reagimin e publikuar në rrjetet sociale, Gjini shkroi:
“Për hir të transparencës ndaj qytetarëve, po e ndaj me ju përgjigjen zyrtare të Aleancës që sapo i është nisur Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, z. Albin Kurti. Qëndrimi ynë mbetet ai i datës 26 qershor, i qartë, parimor dhe tërësisht publik.”
Me këtë qëndrim, Aleanca konfirmon se nuk do t’i bashkohet raundit të takimeve të iniciuara nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti, duke mbetur në pozicionin e shpallur publikisht në fund të muajit qershor.


