Kryetari i Aleances per Ardhmeri, Ardian Gjini, ka zhvilluar një takim në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin.
Përmes një postimi në Facebook, Gjini ka thënë se takimi u zhvillua në një kohë kur Kosova po përballet me procese sfiduese politike.
Gjatë takimit, ai ka vënë theksin te rëndësia e integrimit të Kosovës në NATO, me mbështetjen e SHBA-së, duke e cilësuar këtë proces si garanci për zhvillim të qëndrueshëm dhe stabilitet demokratik.
Gjini ka shprehur gjithashtu shqetësimin e tij për rolin e Serbisë në rajon, duke pretenduar se synimet e saj për zgjerim dhe ndryshim të kufijve përbëjnë burim kryesor të jostabilitetit.
Ai ka theksuar se bashkëpunimi i ngushtë me Uashingtonin është i rëndësishëm për sigurinë, investimet, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e institucioneve të pavarura.
“Për Aleancën, rreshtimi gjeopolitik me SHBA-të është garancia e vetme për një terren të sigurt investimesh, zhvillim të qëndrueshëm dhe institucione të forta e të pavarura”, ka shkruar Gjini.
Në fund të postimit, ai ka shprehur mirënjohje për mbështetjen amerikane ndaj Kosovës.

