Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka takuar sot në Prishtinë senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku i ka falënderuar senatorët për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës dhe për kontributin e tyre në lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e vendit.
Gjatë takimit, Abdixhiku ka theksuar nevojën për rikthimin e Dialogut Strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së, duke vënë në pah rëndësinë e forcimit të besimit dhe bashkëpunimit me aleatin amerikan.
“ Kosovës i duhet ta forcojë besimin dhe bashkëpunimin me aleatin e saj më të rëndësishëm. Kjo kërkon përkushtim, përgjegjësi dhe veprime konkrete”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se për LDK-në, miqësia me Shtetet e Bashkuara është pjesë e identitetit politik të saj, duke e cilësuar ruajtjen dhe forcimin e kësaj marrëdhënieje si një detyrë të përhershme.

