Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Lajme

Dështon mbledhja e Komisionit për Buxhet pas debatit për projektligjin, Lushtaku dhe Haxhiu largohen nga salla

Qendra Info by Qendra Info
13/10/2026
in Lajme
0
Dështon mbledhja e Komisionit për Buxhet pas debatit për projektligjin, Lushtaku dhe Haxhiu largohen nga salla
0
SHARES
4
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa ka dështuar për mungesë kuorumi, pasi deputetët debatuan për mënyrën e prezantimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, kundërshtoi që projektligji të prezantohej nga zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani, duke kërkuar që në mbledhje të ishte i pranishëm ministri.

“Ne kemi pasur praktikë që të kemi vetëm ministrin, nuk është mirë që të ndryshojmë këtë. Përderisa nuk kemi përfaqësues nga ministria, më duket e arsyeshme që të mos mbahet kjo pikë e rendit të ditës”, tha Lushtaku.

Nagavci kërkoi që projektligji të prezantohej nga zëvendësministri

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, kërkoi që komisioni të votonte mundësinë që projektligjin ta prezantonte zëvendësministri ose sekretari i ministrisë, duke theksuar rëndësinë e tij për buxhetin e shtetit.

“Ky projektligj ka kaluar në lexim të parë edhe në legjislaturën e kaluar. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij ligji, mundëson plotësimin e 55 milionë eurove të buxhetit të shtetit. Duke pasur parasysh ligjin, unë ju ftoj kolegë deputetë që të votojmë mundësinë që zëvendësministri, sekretari, të jetë prezent dhe ta prezantojë ligjin”, tha Nagavci.

Haxhiu kritikon hartimin e ligjeve, Haliti dhe Hoti kundërshtojnë

Gjatë diskutimit, deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, kritikoi mënyrën e hartimit dhe miratimit të ligjeve, duke pretenduar se disa prej tyre janë kthyer nga Gjykata Kushtetuese për shkak të shkeljeve procedurale.

“Në praktikën e Kuvendit jo shumë ligje kanë rënë nga Gjykata Kushtetuese, po vijmë prapë në pikën se asnjëherë nuk keni bërë ligje si duhet. Po vijmë në një situatë ku shpejt e shpejt po bëhen ligje që pastaj po dërgohen në Kushtetuese”, deklaroi Haxhiu.

Kryetari i komisionit, Enver Haliti nga Vetëvendosje, e kundërshtoi këtë vlerësim, duke thënë se rastet e përmendura lidhen me afatet procedurale dhe jo me shpalljen e ligjeve si antikushtetuese.

“Janë për shkak të afatit që mes dy leximeve nuk kanë qenë 72 orë”, tha Haliti.

Edhe deputeti i Vetëvendosjes, Valon Hoti, argumentoi se çështja lidhet me procedurën dhe jo me përmbajtjen e ligjeve.

“Asnjë nga ligjet nuk ka qenë antikushtetues, ka qenë për shkak të kohës së shkurtër që deputetët t’i lexojnë ato ligje. Tjetër gjë është shkelje, tjetër gjë është tejkalim i procedurës”, u shpreh Hoti.

Nagavci dhe Haxhiu shkëmbejnë akuza

Debati vazhdoi edhe ndërmjet Haxhiut dhe Nagavcit, të cilat shkëmbyen akuza lidhur me respektimin e Kushtetutës.

“Arbërie Nagavci është shkelëse e Kushtetutës, jeni shkelës numër një të Kushtetutës”, deklaroi Haxhiu.

Në përgjigje, Nagavci tha se ka ngritur padi ndaj Haxhiut dhe se pret që çështja të trajtohet nga gjykata.

“Unë kam bërë padi për të, nuk do të më ndalë, pres që gjykata ta shqyrtojë rastin, tendenca e saj për shpifje do të evidentohet”, tha Nagavci.

Haxhiu më pas ngriti pretendime lidhur me përfshirjen e Nagavcit në çështje që kanë të bëjnë me mësimdhënësit dhe trajnimet, duke përmendur edhe motrën e saj. Këto pretendime u paraqitën gjatë debatit në komision.

Lushtaku dhe Haxhiu largohen, mbledhja dështon

Pas diskutimeve, zëvendësministri Hysni Mehani u ftua për të prezantuar projektligjin, por kjo u kundërshtua nga Lushtaku dhe Haxhiu.

Të dy deputetët lëshuan mbledhjen, ndërsa në sallë mbetën vetëm pesë deputetët e Vetëvendosjes. Kjo pamundësoi vazhdimin e punës për shkak të mungesës së kuorumit.

Komisioni për Buxhet dhe Financa përbëhet nga 11 deputetë. Në mesin e përfaqësuesve të pushtetit është edhe Emilija Rexhepi nga komunitetet, e cila nuk ishte e pranishme në mbledhje.

Si pasojë, komisioni nuk arriti ta shqyrtonte projektligjin, për të cilin Nagavci tha se mundëson plotësimin e 55 milionë eurove në buxhetin e shtetit.

Related

Previous Post

Sulm kibernetik në Francë: Hakerat manipulojnë frigoriferët e supermarketeve, hidhen tonelata ushqime

Next Post

Abdixhiku takon senatorët amerikanë në Prishtinë, kërkon rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në

Next Post
Abdixhiku takon senatorët amerikanë në Prishtinë, kërkon rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në

Abdixhiku takon senatorët amerikanë në Prishtinë, kërkon rikthimin e Dialogut Strategjik me SHBA-në

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.