Inspektorët konstatojnë shkelje të vendimit të Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa rezultatet përfundimtare priten nga analizat laboratorike.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se komisioni inspektues ka konstatuar se fabrika për përpunimin e qumështit Vita, në Istog, ka shkelur vendimin e Ministrisë së Bujqësisë që ndalon përdorimin e qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në produktet e qumështit.
Udhëheqësi i Zyrës së AUV-së në Prizren, Durak Zyrapi, deklaroi se konstatimi është bërë mbi bazën e gjetjeve të inspektorëve që kanë zhvilluar kontrollin në terren.
“Ne si komision kemi konstatuar, në bazë të gjetjeve të inspektorëve që kanë qenë në terren, se subjekti në fjalë ka shkelur vendimin e ministrit, ku ndalohet përdorimi i qumështit pluhur, vajit të palmës, hirrës dhe përbërësve të tjerë në fabrikat e përpunimit të qumështit. Ky ka qenë konstatimi fillestar i komisionit”, tha Zyrapi.
Ai sqaroi gjithashtu se raportimet sipas të cilave i gjithë komisioni kishte qenë i pranishëm gjatë inspektimit nuk janë të sakta.
Sipas tij, ai personalisht nuk ka hyrë në objekt gjatë kontrollit, ndërsa edhe pesë zyrtarë të tjerë të ministrisë nuk kanë marrë pjesë në inspektim. Kontrolli, sipas Zyrapit, është kryer nga inspektorët kompetentë të fushave përkatëse, të cilët më pas kanë dorëzuar raportin me gjetjet e tyre.
Në anën tjetër, shefi i Inspektoratit Veterinar Kufitar në AUV, Eroll Shehu, tha se procesi i inspektimit është zhvilluar në mënyrë transparente.
“Këtë herë, gjatë gjithë kohës kemi pasur kamera përreth dhe tani jemi në proces të pritjes së rezultateve nga laboratori”, deklaroi Shehu.
Rezultatet laboratorike pritet të përcaktojnë përfundimisht nëse produktet e kompanisë janë në kundërshtim me standardet dhe vendimin në fuqi të Ministrisë së Bujqësisë, ndërsa AUV ka paralajmëruar se do të ndërmerren veprimet e parapara me ligj nëse konfirmohen shkeljet.

