Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka vendosur kthimin në Serbi të 110.05 tonëve ushqim për kafshë, pasi analizat laboratorike kanë zbuluar përmbajtje të aflatoksinës B1 mbi nivelin e lejuar.
Sipas njoftimit të AUV-së, produkti është importuar nga operatori ekonomik N.P.T. Haxhijaha SH.P.K. nga Rahoveci, ndërsa prodhues është kompania De Heus d.o.o. në Serbi.
Analizat konfirmuan praninë e aflatoksinës
Kontrollet laboratorike të kryera nga laboratori i AUV-së dhe të konfirmuara nga Agjencia Austriake për Shëndetin dhe Sigurinë Ushqimore (AGES), kanë konstatuar se produkti “Koncentrat për lopë qumështore” përmbante 13 mikrogramë aflatoksinë B1 për kilogram, mbi nivelin e lejuar.
Gjatë inspektimit është dokumentuar gjithashtu prania e mbetjeve të insekteve.
Pse është e rrezikshme aflatoksina B1?
Aflatoksina B1 është substancë toksike e prodhuar nga disa lloje myqesh, kryesisht të gjinisë Aspergillus. Ajo mund të kontaminojë drithërat dhe ushqimin për kafshë dhe njihet për efektet e saj toksike dhe kancerogjene.
Rreziku është veçanërisht i rëndësishëm te lopët qumështore, pasi aflatoksina B1 mund të shndërrohet në aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht. Kjo mund të paraqesë rrezik për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e konsumatorëve.
AUV ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet zyrtare dhe mbikëqyrjen e tregut, me qëllim parandalimin e qarkullimit të produkteve që nuk i plotësojnë kërkesat e sigurisë dhe cilësisë.

