Bisedimet tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Kinës kanë hyrë në një fazë vendimtare, ndërsa Komisioneri Evropian për Tregtinë, Marosh shefcovic, ka mbërritur në Pekin me synimin për të kërkuar hapa konkretë për ribalancimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy palëve.
Vizita vjen në një kohë kur BE-ja po përballet me një deficit të madh tregtar ndaj Kinës dhe shqetësime në rritje për ndikimin e importeve kineze me çmime të ulëta mbi industrinë evropiane.
Brukseli po kërkon që Pekini të ndërmarrë masa për të krijuar një marrëdhënie më të balancuar tregtare. Ndër opsionet që po shqyrtohen janë edhe kuotat për disa produkte kineze, me qëllim kufizimin e rritjes së importeve në tregun evropian.
Megjithatë, Pekini deri tani ka kundërshtuar mekanizma të tillë. Kina ka refuzuar më herët edhe propozimet për kufizime vullnetare të eksporteve, përfshirë ato që lidhen me automjetet elektrike.
Një tjetër çështje e rëndësishme në negociata është qasja e kompanive evropiane në metalet e rralla, të cilat janë thelbësore për prodhimin e automjeteve, teknologjitë e gjelbra, industrinë e mbrojtjes dhe sektorë të tjerë strategjikë.
Kina ka një pozitë dominuese në prodhimin dhe përpunimin e këtyre materialeve dhe në të kaluarën ka përdorur kontrollet e eksporteve si mjet presioni në marrëdhëniet tregtare me vendet e tjera.
Për këtë arsye, vizita e Šefčovičit shihet si veçanërisht e rëndësishme. Ai pritet t’u raportojë udhëheqësve të BE-së për rezultatet e bisedimeve gjatë takimeve të tyre në Bruksel javën e ardhshme.
Ndërkohë, përpara vizitës në Pekin, Shefcovic zhvilloi bisedime në Strasburg me ministrin britanik për Marrëdhëniet me Evropën, Hamish Falconer. Një nga çështjet e diskutuara ishte edhe politika e BE-së për forcimin e prodhimit evropian.
Londra ka paralajmëruar se masat që favorizojnë prodhuesit e BE-së në prokurimet publike nuk duhet të krijojnë barriera të reja për kompanitë britanike apo të dobësojnë zinxhirët evropianë të furnizimit.
Bisedimet BE–Kinë zhvillohen në një periudhë kur marrëdhëniet ekonomike mes dy fuqive po përballen me tensione të shtuara. Brukseli kërkon më shumë qasje për kompanitë evropiane në tregun kinez dhe mbrojtje të industrisë së vet, ndërsa Pekini kundërshton masa që mund të kufizojnë eksportet e tij drejt Evropës.
Rezultati i vizitës së Shefcovicit në Pekin pritet të tregojë nëse BE-ja dhe Kina mund të arrijnë një kompromis të ri tregtar apo nëse tensionet ekonomike mes tyre do të vazhdojnë të rriten.

