Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë të re financiare prej 6.1 miliardë eurosh për forcimin e mbrojtjes së Ukrainës, në një kohë kur Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj territorit ukrainas.
Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, fondet do të përdoren për sisteme të mbrojtjes ajrore dhe raketore, raketa, municione dhe radarë, pajisje që Ukraina i konsideron të nevojshme për mbrojtjen e qyteteve dhe infrastrukturës së saj.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se mbështetja evropiane për Ukrainën mbetet e palëkundur.
“Sot, ne kemi miratuar 6.1 miliardë euro për sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore, raketat, municionet dhe radarët që Ukraina ka nevojë urgjentisht”, deklaroi von der Leyen.
Ajo theksoi se vendimi vjen në një moment kur sulmet ruse janë intensifikuar.
“Ndërsa Rusia intensifikon sulmet e saj, ne po rrisim angazhimin tonë për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë popullin e saj dhe qiellin e saj”, tha presidentja e Komisionit Evropian.
“Koalicioni i të Gatshmëve” mblidhet në Kiev
Ndërkohë, në Kiev po zhvillohet një takim i ri i të ashtuquajturit “Koalicioni i të Gatshmëve”, në një prej momenteve më delikate të luftës.
Takimi zhvillohet në 35-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës dhe në një kohë kur Kievi po kërkon nga aleatët evropianë rritjen e mbështetjes për mbrojtjen ajrore dhe shtimin e presionit ndaj Moskës.
Takimi në Kiev pritet të bashkëkryesohet nga udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Francës dhe Gjermanisë, ndërsa pjesë e tij pritet të jetë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Samiti vjen gjithashtu pas diskutimeve të fundit mes Ukrainës, SHBA-së dhe BE-së për një plan që synon t’i japë fund luftës, e cila tashmë ka hyrë në vitin e pestë që nga pushtimi i plotë rus.
Me paketën e re prej 6.1 miliardë eurosh, BE-ja po sinjalizon se, pavarësisht përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës, mbështetja ushtarake dhe mbrojtja e Ukrainës mbeten një prioritet i saj.

