Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka shprehur optimizëm për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se pritet përparim i rëndësishëm në javët dhe muajt në vijim.
Gjatë një mbledhjeje të Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian, Kos foli për Raportin e Ndërmjetëm (IBAR), i cili lidhet me përmbushjen e standardeve në fushën e sundimit të ligjit.
“Shqipëria ka hapur gjashtë grupkapitujt e negociatave në pak më shumë se një vit. Jam e bindur se do të shohim përparim vendimtar në diskutimet e vendeve anëtare,” u shpreh ajo.
Sipas saj, miratimi i IBAR-it nga shtetet anëtare do t’i hapte rrugë Shqipërisë drejt fazës së mbylljes së kapitujve të negociatave, duke shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit.
Komisioni Evropian ka vlerësuar pozitivisht raportin për Shqipërinë, ndërsa vendet anëtare po vijojnë diskutimet dhe ndërhyrjet në draftin e pozicionit të përbashkët të BE-së.
Kos dha edhe një paralajmërim për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se përshpejtimi i reformave është thelbësor për të përfituar nga fondet e Planit të Rritjes së BE-së.
Në këtë kuadër, ajo konfirmoi se do të vizitojë së shpejti Kosovën, duke kërkuar vazhdimin e reformave për të përfituar mbështetjen financiare evropiane.
“Kemi hequr masat dhe presim që Qeveria të vazhdojë me reformat e nevojshme për të përfituar nga mbështetja e BE-së,” theksoi ajo.
Procesi i zgjerimit mbetet një nga prioritetet kryesore të BE-së, ndërsa progresi i vendeve të rajonit do të varet drejtpërdrejt nga ritmi dhe cilësia e reformave të ndërmarra.

