Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar një vizitë në Luginën e Preshevës, ku u takua me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve, duke riafirmuar mbështetjen e shtetit shqiptar për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Begaj u prit nga kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Bajaziti, deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, si dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.
Presidenti shqiptar theksoi se shqiptarët e Luginës jetojnë në trojet e tyre dhe garantoi se Shqipëria do të vazhdojë të jetë mbështetëse e kërkesave të tyre në arenën ndërkombëtare.
“Si President i Republikës së Shqipërisë, u garantova mbështetjen e Shqipërisë për adresimin e çështjes së Luginës së Preshevës, përfaqësimin e drejtë në institucione, shqetësimin për pasivizimin e adresave, si dhe të drejtën e përdorimit të gjuhës amtare dhe të simboleve kombëtare”, deklaroi Begaj.
Ai u bëri thirrje liderëve politikë shqiptarë në Luginë që të bashkëpunojnë dhe të jenë të unifikuar sa herë që bëhet fjalë për interesat kombëtare dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve.
Begaj shtoi se do të vazhdojë të jetë “avokat i shqiptarëve të Luginës së Preshevës” në çdo institucion dhe kancelari ndërkombëtare, duke theksuar se mbështetja e Shqipërisë për këtë komunitet do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

