Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Këshilli Evropian, Antonio Costa, ku në fokus të bisedimeve ishte procesi i integrimit evropian të Shqipërisë dhe perspektiva e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.
Përmes një postimi publik, Begaj bëri të ditur se gjatë takimit ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që institucionet evropiane po i japin Shqipërisë në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Ai ritheksoi angazhimin e institucioneve shqiptare për përmbushjen e reformave dhe kritereve të nevojshme për avancimin e vendit drejt anëtarësimit të plotë në BE.
“Shpreha mirënjohje për mbështetjen në këtë proces kyç të negociatave të anëtarësimit në BE, si dhe angazhimin e Shqipërisë për përmbushjen e këtij objektivi kombëtar”, u shpreh Begaj.
Presidenti shqiptar theksoi gjithashtu rëndësinë strategjike të integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane, duke vlerësuar se zgjerimi do të kontribuonte në forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të rajonit dhe të vetë Evropës.
“Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor në BE nënkuptojnë më shumë siguri, zhvillim dhe stabilitet, si për rajonin ashtu edhe për vetë Evropën”, theksoi Begaj.
Takimi vjen në një periudhë kur procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor po rikthehet në qendër të agjendës politike evropiane, mes sfidave gjeopolitike dhe nevojës për forcimin e stabilitetit në rajon.

