Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tahiri ka kritikuar mungesën e një qëndrimi institucional të Kuvendit të Kosovës, një javë pas shpalljes së aktgjykimit, duke kërkuar që deputetët të mblidhen dhe të miratojnë një rezolutë.
“Sot është bërë një javë prej kur Dhomat e Specializuara në Hagë kanë marrë një vendim dënues ndaj katër çlirimtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky Kuvend, tash e një javë, ende nuk ka një qëndrim politik, institucional, shtetëror, një rezolutë që e dënon dhe që thërret për drejtësi dhe që në përmbajtje adreson çështje që për ne janë shumë problematike në atë vendim”, ka shkruar Tahiri.
Tahiri kërkon mbledhje urgjente të Kuvendit
Ai ka thënë se, sipas tij, heshtja dhe kalkulimi politik nuk duhet të jenë pjesë e politikës ditore, duke kërkuar që Kuvendi të mblidhet urgjentisht.
“Është urgjente që Kuvendi i Republikës së Kosovës të mblidhet, të ketë një qëndrim politik, të ketë një rezolutë, mos kurrgjë, për të drejtën dhe për historinë e këtij vendi”, ka deklaruar Tahiri.
Sipas tij, qëndrimi që do të mbajë Kuvendi do të vlerësohet edhe nga gjeneratat e ardhshme.
“UÇK-ja është vlera më e madhe kombëtare”
Tahiri ka deklaruar se lufta e UÇK-së dhe historia e saj duhet të trajtohen përtej kalkulimeve të politikës ditore.
“Tregimi i luftës tonë për liri është tregimi më i shenjtë. UÇK-ja është vlera më e madhe kombëtare”, ka shkruar ai.
Deputeti i AAK-së u ka bërë thirrje subjekteve politike që, sipas tij, të lënë anash kalkulimet politike dhe të bashkohen rreth një qëndrimi institucional.
“Të bashkohemi dhe të mblidhemi sa më shpejt, t’i lëmë anash politikën ditore, kalkulimin ditor, për shkak se po flasim për një histori”, ka shkruar Tahiri.

