Ndeshjet e fundit të grupeve A, B dhe C në Kupën e Botës 2026 kanë sjellë verdiktet e para të rëndësishme, me Brazilin, Marokun, Meksikën, Afrikën e Jugut dhe Zvicrën që kanë siguruar kualifikimin në fazën e 1/16-ave.
Brazili dominon Skocinë, Neymar rikthehet pas tre vitesh
Në Grupin C, Brazili mposhti bindshëm Skocinë me rezultat 3-0. Ylli brazilian Vinicius Junior realizoi dy gola, ndërsa Matheus Cunha vulosi fitoren me golin e tretë.
Momenti më emocionues i sfidës ishte rikthimi i Neymarit në kombëtare, i cili u aktivizua në minutën e 76-të pas një mungese trevjeçare për shkak të lëndimeve.
Në ndeshjen tjetër të grupit, Maroku përmbysi Haitin me rezultat 4-2. Pavarësisht se mbeti dy herë në disavantazh, skuadra afrikane reagoi fuqishëm dhe siguroi fitoren me golat e Hakimit, Saibarit, Rahimit dhe Yassine.
Pas përfundimit të grupit, Brazili dhe Maroku avancojnë me nga shtatë pikë, ndërsa Skocia mbetet në pritje si një nga vendet e treta më të mira. Haiti eliminohet pa asnjë pikë.
Meksika perfekte, Afrika e Jugut shkruan histori
Në Grupin A, Meksika vazhdoi formën fantastike duke mundur Çekinë me rezultat 3-0. Golat u realizuan nga Chavez Garcia, Quinones dhe Fidalgo.
Me këtë sukses, meksikanët e mbyllën fazën e grupeve me tri fitore në tri ndeshje, duke grumbulluar nëntë pikë dhe pa pësuar asnjë gol.
Afrika e Jugut siguroi kualifikimin historik në fazën me eliminim direkt falë fitores minimale 1-0 ndaj Koresë së Jugut. Golin e vetëm e realizoi Thapelo Maseko në minutën e 63-të.
Koreja e Jugut mbetet në pritje të rezultateve të grupeve të tjera për të mësuar nëse do të kalojë si një nga ekipet më të mira të vendeve të treta, ndërsa Çekia eliminohet nga turneu.
Zvicra merr kreun, Kanadaja kalon si e dyta
Në Grupin B, Zvicra fitoi 2-1 ndaj Kanadasë dhe siguroi vendin e parë në grup. Golat për helvetët u shënuan nga Vargas dhe Manzambi, ndërsa për Kanadanë realizoi Jonathan David.
Kanadezët, megjithatë, siguruan kualifikimin si vendi i dytë në grup.
Në takimin tjetër, Bosnje e Hercegovina triumfoi 3-1 ndaj Katarit dhe mbajti gjallë shpresat për kualifikim si një nga vendet e treta më të mira.
Kombëtaret e kualifikuara deri më tani
Pas ndeshjeve të zhvilluara deri tani, në fazën e 1/16-ave kanë siguruar kualifikimin:
- Meksika
- Shtetet e Bashkuara
- Gjermania
- Argjentina
- Franca
- Norvegjia
- Kolumbia
- Zvicra
- Kanadaja
- Bosnje dhe Hercegovina
- Brazili
- Maroku
- Afrika e Jugut
Ndërkohë, gara për vendet e treta më të mira mbetet e hapur dhe do të përcaktohet pas përfundimit të të gjitha ndeshjeve të fazës së grupeve.

