Botërori 2026 po hyn në fazën më dramatike të garës, aty ku gabimet nuk falen më. Deri tani janë konfirmuar 9 nga 16 përballjet e raundit të 1/16-ve, ndërsa shtatë duelet e mbetura do të përcaktohen pas përfundimit të ndeshjeve në grupet J, K dhe L.
Faza me eliminim direkt nis të dielën, më 28 qershor, me duelin mes Afrikës së Jugut dhe Kanadasë, që starton në orën 21:00 (me orën shqiptare).
Më 29 qershor, spektakli vazhdon me tri sfida interesante. Në orën 19:00, Brazili përballet me Japoninë, ndërsa në 22:30 zhvillohet supersfida mes Gjermanisë dhe Paraguajit. Dita mbyllet në orën 03:00 të mëngjesit të 30 qershorit me përballjen Holandë – Marok.
Programi vazhdon më 30 qershor, ku në orën 19:00 luhet sfida mes Bregut të Fildishtë dhe Norvegjisë, ndërsa në 23:00 zhvillohet një nga duelet më të forta të këtij raundi, Franca – Suedia.
Më 1 korrik, në orën 22:00, kampionia në fuqi Argjentina do të sfidojë surprizën e këtij Botërori, Kepin e Gjelbër, që ka shkruar histori duke kaluar grupet në debutimin e saj.
Në orët e para të 2 korrikut (02:00), Shtetet e Bashkuara do të matin forcat me Bosnje-Hercegovinën.
Seria e ndeshjeve të konfirmuara mbyllet më 3 korrik, në orën 20:00, me sfidën mes Australisë dhe Egjiptit.
Ndeshjet e konfirmuara të 1/16-ve:
- Afrika e Jugut – Kanada
- Brazil – Japoni
- Gjermani – Paraguai
- Holandë – Marok
- Bregu i Fildishtë – Norvegji
- Francë – Suedi
- Argjentinë – Kepi i Gjelbër
- SHBA – Bosnje-Hercegovinë
- Australi – Egjipt
Pritet që deri në fund të mbrëmjes të kompletohet edhe tabela me 16 përballjet e plota të fazës me eliminim direkt. Botërori 2026 tashmë po hyn në “zonën e luftës” — fiton ose shkon në shtëpi.
