Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë për klasën politike, duke theksuar se Kosova nuk mund të arrijë stabilitet dhe normalizim pa bashkëpunim ndërpartiak.
Sipas Hazirit, LDK-ja ka dëshmuar ndër vite se është një forcë politike që ka nisur procese të mëdha dhe ka realizuar synime historike për vendin.
“Lidhja Demokratike e Kosovës është parti që ka shkaktu procese dhe ka realizu ëndrra. Ne e kemi mbajtë fjalën me të gjitha partitë për agjendën e Republikës”, deklaroi ai.
Haziri theksoi se kriza politike nuk mund të zgjidhet nëse mungon vullneti për bashkëpunim, duke ia adresuar përgjegjësinë kryesisht partisë së parë.
“Nuk nxirret vendi nga kriza nëse partia e parë nuk e zhvillon instinktin e bashkëpunimit. E kundërta është me shkaktu procese”, u shpreh ai.
Ai nuk la pa përmendur as partitë opozitare, duke bërë krahasime të drejtpërdrejta me PDK-në dhe AAK-në.
“Nëse doni me na provu qysh shkaktohen proceset, pyetne PDK-në. Nëse doni me e kuptu qysh bashkëpunohet, pyetne AAK-në”, tha Haziri.
Sipas tij, çështje si integrimi në Bashkimin Evropian, anëtarësimi në NATO dhe projekti i gazit amerikan nuk janë tema të zakonshme politike, por procese strategjike që kërkojnë unitet institucional dhe politik.
“Edhe BE, NATO e gazi amerikan janë procese strategjike. Unë jam për Republikën dhe bashkëpunimi është shpirti i saj”, përfundoi Haziri.
Deklarata e Hazirit vjen në një moment të ndjeshëm politik në Kosovë, kur diskutimet për bashkëpunim dhe formimin e institucioneve po marrin peshë gjithnjë e më të madhe.

