Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar për një defekt në rrjetin e ujësjellësit te Pallati i Rinisë, për shkak të të cilit një pjesë e madhe e kryeqytetit do të mbetet pa furnizim me ujë deri në riparimin e problemit.
Sipas njoftimit të kompanisë, defekti është evidentuar në një gyp me diametër prej 350 milimetrash.
Ekipet teknike pritet të ndërhyjnë për sanimin e defektit dhe rikthimin e furnizimit me ujë.
KRU “Prishtina” u ka kërkuar qytetarëve mirëkuptim deri në përfundimin e punimeve, pa dhënë një afat të saktë se kur pritet të rikthehet furnizimi.

