Më 9 maj shënohet Dita e Europës, një datë simbolike për Bashkimin Europian që lidhet me deklaratën historike të ish-ministrit të Jashtëm francez, Robert Schuman, më 9 maj 1950. Kjo deklaratë konsiderohet si themeli mbi të cilin u ndërtua projekti europian dhe vetë Bashkimi Europian.
Ideja e Schumanit lindi vetëm pesë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në një Europë të shkatërruar nga konfliktet dhe mosbesimi mes shteteve, veçanërisht mes Francës dhe Gjermanisë. Ai propozoi që prodhimi i qymyrit dhe çelikut të Francës dhe Gjermanisë të vendosej nën një administrim të përbashkët, në mënyrë që lufta mes vendeve europiane të bëhej jo vetëm e paimagjinueshme, por edhe praktikisht e pamundur.
Nga kjo ide lindi më 1952 Komuniteti Evropian për Qymyrin dhe Çelikun, i njohur si “Montanunioni”, ku bënin pjesë Franca, Gjermania, Italia, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu. Ky union u shndërrua më vonë në Komunitetin Ekonomik Evropian dhe në fillim të viteve ’90 në Bashkimin Europian që njihet sot.
Robert Schuman konsiderohet një nga “baballarët themelues” të Europës moderne. Ai kishte një histori personale të lidhur me disa vende europiane, pasi kishte jetuar në Gjermani, Luksemburg dhe Francë, duke përjetuar nga afër dy luftërat botërore. Pikërisht kjo përvojë ndikoi në vizionin e tij për një Europë të bashkuar dhe paqësore.
Në deklaratën e tij historike, Schuman kishte theksuar:
“Evropa duhet të pushojë së qeni një vend betejash, ku palët armike mbyten në gjak.”

