Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se pret gjatë ditës së sotme përgjigjen zyrtare të Iranit lidhur me propozimin amerikan me 14 pika për arritjen e armëpushimit dhe nisjen e negociatave për një marrëveshje më të gjerë mes dy vendeve.
Sipas mediave amerikane, plani i administratës Trump përfshin një moratorium mbi programin bërthamor iranian, heqjen graduale të sanksioneve ndaj Teheranit, zhbllokimin e fondeve iraniane të ngrira jashtë vendit, si dhe garantimin e lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit.
Trump paralajmëroi se nëse Irani nuk i përgjigjet pozitivisht propozimit, SHBA do të riaktivizojë operacionin ushtarak “Freedom”, që synon shoqërimin dhe mbrojtjen e anijeve tregtare në Hormuz.
Ndërkohë situata në rajon mbetet tepër e tensionuar. Autoritetet iraniane akuzuan SHBA-në për shkelje të armëpushimit, duke pretenduar se forcat amerikane kanë sulmuar anije iraniane në Ngushticën e Hormuzit.
Nga ana tjetër, Komanda Qendrore Amerikane (CENTCOM) konfirmoi se një avion luftarak amerikan F/A-18 Super Hornet ka ndërmarrë aksion ndaj dy cisternave iraniane në Gjirin e Omanit. Sipas ushtrisë amerikane, anijet po tentonin të hynin në porte iraniane “në kundërshtim me bllokadën detare amerikane”.
Në zhvillimet e fundit, Departamenti amerikan i Thesarit ka vendosur sanksione të reja ndaj 10 individëve dhe kompanive në Lindjen e Mesme, Azi dhe Evropën Lindore, të cilat dyshohet se kanë ndihmuar programin iranian të dronëve Shahed dhe raketave balistike.
Analistët ndërkombëtarë vlerësojnë se përshkallëzimi i konfliktit në Hormuz po ndikon drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë, ndërsa SHBA dhe Rusia konsiderohen ndër përfituesit më të mëdhenj gjeopolitikë dhe ekonomikë nga situata aktuale.

