Lil X, djali gjashtëvjeçar i miliarderit Elon Musk, është kthyer në një fenomen viral në Kinë pas paraqitjes së tij në samitin zyrtar në Pekin, ku u shfaq krah babait me një veshje të frymëzuar nga kultura tradicionale kineze.
Vogëlushi, emri i plotë i të cilit është X Æ A-Xii, u pa në korridoret e Pallatit të Popullit i veshur me një jelek mëndafshi bojëqielli, të frymëzuar nga dinastia Tang, ndërsa ajo që mori vëmendjen më të madhe ishte çanta artizanale në formë koke tigri.
Pamjet u bënë menjëherë virale në rrjetet sociale kineze, ku përdoruesit vlerësuan gjestin e Musk si një shenjë respekti ndaj kulturës vendase.
Sipas raportimeve, zgjedhja nuk duket rastësore, pasi në kulturën kineze simboli i tigrit lidhet me mbrojtjen e fëmijëve nga energjitë negative, sëmundjet dhe sjelljen e fatit e forcës.
Efekti ishte i menjëhershëm edhe në treg: çanta dhe jeleku u shitën brenda pak orësh, ndërsa në tregun e rishitjes çmimet u rritën disa herë mbi vlerën fillestare.
Marka artizanale kineze që prodhon çantën, sipas raportimit, u përball me kërkesë të jashtëzakonshme pas paraqitjes së Lil X.
Edhe emri i pazakontë i djalit të Musk ka nxitur diskutime të shumta, pasi përmban referenca ndaj matematikës, inteligjencës artificiale dhe teknologjisë hapësinore — fusha me të cilat lidhet vetë Elon Musk.

