U.D. Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekoruar boksieren Donjeta Sadiku me Medaljen Presidenciale të Meritave, në shenjë vlerësimi për suksesin e saj në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026” dhe kontributin në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Sadiku ishte bartëse e flamurit të Republikës së Kosovës në ceremoninë hapëse të Lojërave Mesdhetare në Taranto të Italisë.
Pak ditë më vonë, ajo kurorëzoi paraqitjen e saj me medaljen e artë, pasi triumfoi në finalen e kategorisë së saj ndaj Kristina Kuluhovës, e cila përfaqësonte Serbinë.
Suksesi i boksieres kosovare u vlerësua si një tjetër rezultat i rëndësishëm për sportin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Haxhiu: Shembull për brezat e rinj
U.D. Presidentja Albulena Haxhiu e përgëzoi Sadikun për suksesin e arritur dhe vlerësoi punën e saj në sportin e boksit.
Haxhiu shprehu mirënjohje edhe për trajneren Marjola Sallauka dhe të gjithë ekipin që ka kontribuar në përgatitjen e sportistes.
Ajo i uroi Sadikut suksese të mëtejshme në garat e ardhshme, duke theksuar se rezultatet dhe paraqitjet e saj të vazhdueshme po e përfaqësojnë Kosovën me dinjitet.
Sipas Presidencës, suksesi i Donjeta Sadikut përbën gjithashtu një shembull frymëzues për brezat e rinj të sportistëve kosovarë.

