Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy zyrtarëve bankarë, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas njoftimit zyrtar, të dyshuarit U.Z. dhe K.K., të cilët aktualisht ndodhen në ndalim 48-orësh, dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit, në cilësinë e personave zyrtarë bankarë, dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke dëmtuar një qytetare nga Prizreni me inicialet R.L.
Hetimet tregojnë se i dyshuari U.Z., në cilësinë e menaxherit të bankës, pas aprovimit të një kredie, nuk e kishte njoftuar klienten dhe pa dijeninë e saj kishte liruar mjete financiare në vlerë prej 24 mijë eurosh nga llogaria e saj bankare.
Ndërkohë, sipas dyshimeve, i pandehuri K.K., në cilësinë e analistit të kredisë, kishte realizuar transferimin e mjeteve në dy llogari biznesesh, nga 12 mijë euro për secilën.
Prokuroria bën të ditur se me këto veprime, të dyshuarit e kanë ngarkuar viktimën me një kredi fiktive në vlerë prej 25 mijë eurosh, si dhe me procedurë përmbarimore, duke i shkaktuar dëm material në të njëjtën shumë.
Në kuadër të hetimeve, autoritetet kanë zhvilluar bastisje në shtëpitë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarve, ku janë sekuestruar prova materiale dhe digjitale që konsiderohen të rëndësishme për procedurën hetimore.
Prokuroria Themelore në Prizren ka deklaruar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

