Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), në bashkëpunim me Ushtrinë e Republikës Federale të Gjermanisë, ka realizuar Trajnimin Bazik për Kërkim-Shpëtim Urban në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim.
Në trajnim morën pjesë pjesëtarë të njësive të FSK-së, si dhe pjesëtarë të ushtrisë gjermane, me fokus në avancimin e kapaciteteve profesionale dhe rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e reagimit ndaj fatkeqësive.
Sipas njoftimit të FSK-së, ky aktivitet shënon vazhdimësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë në ngritjen e aftësive operacionale dhe profesionale në sektorin e kërkim-shpëtimit.
Pjesëmarrja e personelit ushtarak gjerman u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për shkëmbim përvojash, forcim të ndërveprueshmërisë dhe zhvillim të standardeve të përbashkëta të trajnimit.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit zhvilluan aftësi bazike në kërkim-shpëtim urban, duke përfshirë:
- teknikat e kërkimit;
- procedurat e shpëtimit;
- punën ekipore;
- masat e sigurisë;
- koordinimin gjatë reagimit në skenarë të fatkeqësive urbane.
FSK ka theksuar se trajnime të tilla kontribuojnë në rritjen e gatishmërisë operacionale dhe përmirësimin e kapaciteteve për reagim të shpejtë në situata emergjente.

