E premtja në Kosovo pritet të karakterizohet me mot me diell, vranësira lokale dhe temperatura të larta verore.
Gjatë pjesës së parë të ditës do të mbajë mot kryesisht i kthjellët dhe shumë i nxehtë, ndërsa pasdite pritet destabilizim i atmosferës. Si pasojë e zhvillimit të vranësirave konvektive, në disa rajone priten rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me vetëtima dhe bubullimë.
Lokalisht nuk përjashtohet mundësia për breshër dhe erëra të fuqishme, megjithatë këto dukuri pritet të jenë të kufizuara vetëm në zona të caktuara dhe jo në të gjithë territorin e vendit.
Temperaturat do të lëvizin nga 16°C në orët e mëngjesit deri në 35°C gjatë ditës.
Për shkak të vapës së lartë, rekomandohet kujdes gjatë orëve të mesditës, ndërsa në zonat ku zhvillohen vranësirat konvektive qytetarët duhet të kenë kujdes nga ndryshimet e shpejta të motit dhe shkarkesat atmosferike.

