Policia e Kosovës ka njoftuar se, në bashkëpunim me autoritetet kroate dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar ekstradimin e një shtetasi kosovar të kërkuar me letër rreshtim ndërkombëtar.
Sipas njoftimit zyrtar, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, ka bërë sot ekstradimin e shtetasit me inicialet A.G. nga Kroacia në Kosovë.
I dyshuari ishte arrestuar nga autoritetet kroate, pasi ndaj tij ishte lëshuar letër rreshtim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it nga institucionet e drejtësisë së Kosovës. Sipas Policisë, personi i kërkuar i ishte shmangur përballjes me drejtësinë.
Ekstradimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë.
Policia e Kosovës ka theksuar se bashkëpunimi ndërkombëtar policor mbetet një nga mekanizmat kryesorë në identifikimin, arrestimin dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave të kërkuar.

